Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Rreth Rrogozhinës

Profili i Bashkisë Rrogozhine

Bashkia Rrogozhinës shtrihet në një terren pjesërisht kodrinor dhe pjesërisht fushor deri në bregun e detit. Bashkia  ka për qendër qytetin e Rrogozhinës, i cili u krijua në kohën e komunizmit përreth agroindustrisë, si fabrika e vajit dhe sapunit apo ajo e zhveshjes së pambukut, si dhe një linjë për përpunimin dhe konservimin e ushqimeve. Kjo industri tashmë është mbyllur prej kohësh. Qyteti i Rrogozhinës zë rreth një të tretën e të gjithë popullsisë banuese të bashkisë së re.

Ekonomia e Bashkisë eshte fokusuar ne dy shtylla kryesore ne bujqesi  ku 70% e territorit eshte bujqesore dhe turizem ku disponon 20 kilometer vije bregdetare. Hartimi i planeve të duhura zhvillimore, të shoqëruara me investimet e përshtatshme për rrugë, kanalizime, ndriçim dhe ujë të pijshëm ofron një mundësi për rritjen e të ardhurave të bashkisë.

Zona Gjeografike:

Kjo bashki përbëhet nga 5 njësi administrative, të cilat janë: Rrogozhinë, Kryevidh, Sinaballaj, Lekaj dhe Gosë. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Kavajës dhe qarkut të Tiranës. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 36 fshatra.

Popullsia:Bashkia e re numëron 22,148 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil ajo numëron një popullsi prej 40,684 banorë. Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 223.5 km2. Sipas regjistrit civil, densiteti i popullsisë është 182 banorë/km2, ndërsa sipas censusit, densiteti është 99 banorë/km2.

Rrogozhina kufizohet në veri me Bashkinë Kavajë, në veri-lindje me Bashkinë Tiranë, në jug me Bashkinë Lushnje dhe Divjak, në lindje me Bashkinë Peqin dhe në perëndim me Detin Adriatik. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Rrogozhinës.

Historia e Qytetit Rrogozhinë:

Qyteti i Rrogozhinës i njohur në literaturën arkeologjike dhe historike me emrin “ASPARGAIUM”, përmendet si një vendbanim i lashtë dhe udhëkryq i rëndësishëm gjeografik dhe historik. Aspargaium ndodhej në kryqëzimin e dy segmenteve të rrugës “Egnatia”, të cilat vinin nga Apollonia dhe Dyrrakium në drejtim të Romës dhe Kostandinopojës. Rrogozhina, përveçse nyje e rëndësishme tregtare dhe gjeografike, mbart mbi vete kultura, tradita, rite, zakone dhe veçori gjuhësore midis Shqipërisë se Mesme dhe asaj të Jugut.

Rrogozhina e sotme, e pozicionuar midis Durrësit, Lushnjës dhe Elbasanit, është nyje e rëndësishme e korridorit të 8-të, dhe e kryqëzimit hekurudhor Rrogozhinë-Durrës, Rrogozhinë-Vlorë dhe Rrogozhinë – Pogradec. Midis viteve 1960-1990, qyteti i Rrogozhinës kishte disa prej fabrikave më të rëndësishme të prodhimit, si ajo e vaj-sapunit ku prodhohej vaji i lulediellit dhe ku kishte linjë të përpunim-konservimit të ushqimeve, midis së cilave edhe një fabrikë makaronash. Uzina e zhveshjes së pambukut, ku vinte pothuaj i gjithë prodhimi vendas i pambukut, si edhe punishtja e përpunimit të bimëve mjekësore dhe etero-vajore e renditën qytetin përsëri krah qyteteve të tjera të rëndësishme të industrisë së lehtë dhe prodhimit ekonomik.

Plazhi i Spillesë

Zhvillimi i turizmit është kthyer në pritoritet edhe për Bashkinë e Rrogozhinës si rezultat i reformës së re administrative-territoriale sipas së cilës, 15.52 km vijë bregdetare i kalohen nën juridiksion Bashkisë. Kjo vijë bregdetare shtrihet përgjatë plazhit të Spillesë dhe bën pjesë në njësitë administrative Gosë e Kryevidh. Duke filluar prej sezonit veror të vitit 2016, një pjesë krejtësisht e pa shfrytëzuar e plazhit, është kthyer tashmë në atraksion pushimi dhe turizmi veror për pushues kryeqytetas dhe të zonës përreth.

 

Ndryshe nga shumë zona turistike bregdetare të vendit, në të cilat situata është tepër kaotike si rezultat i ndërtimeve informale përgjatë vijës bregdetare, në këtë zonë panorama është krejt e kundërt dhe tejet e favorshme për zhvillim të qendrueshëm të turizmit bregdetar sezonal.

 

Në hapësirat publike të shtrira përgjatë vijës bregdetare janë ndërtuar 34 stacione plazhi ku çdo njeri prej tyre ka një hapësirë nga 200 deri ne 5000 m2 në përdorim. Midis stacioneve të plazhit, sikurse parashikohet në VKM nr.369 datë 18.05.2016 “Për miratimin e rregullores për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, është ruajtuar një hapësirë e pashfrytëzuar prej 30m, janë vendosur 8 kulla vrojtimi me 16 roje plazhi, të cilët patrullojnë gjatë gjithë sezonit veror në shëtitoren e plazhit. Falë investimit prej 2,4 milion euro, vetëm përgjatë vitit 2016 janë numëruar 20 mijë pushues në ditë dhe numri i biznesve është rritur ndjeshëm duke kontribuar kështu në rritjen ekonomike të gjithe zonës.

Atraksionet ditore për pushuesit si shumëllojshmëria kulinare, aktivitetet sportive, bar-et etj., do të pasurohen me aktivitete të tjera përgjatë sezoneve në vijim si festivalet verore, kampingje për makinat rulot, peshkim etj.

Kalaja e Bashtovës

Zona e Bashtovës, e cila përmendet në dorëshkrimet historike si port lumor në Shkumbin dhe qendër e eksportit të drithërave, është sot një nga zonat me potenciale zhvillimi turistike më të mëdha në zonë. Në këtë zonë ndodhen dy monumente shtetërore:  Kalaja e Bashtovës, monument kulture, dhe pylli i dafinave, monument natyre, i cili lulëzon përqark kalasë.

Kalaja e Bashtovës, monument kulture i qytetërimit mesjetar ngrihet pranë fshatit Vilë-Bashtovë në një distancë rreth 3-4 km në veri të grykëderdhjes së lumit Shkumbin. Kalaja është ndërtuar në shekullin e XV dhe u ka shërbyer venecianëve për shkëmbime tregtare. Ajo ka formë katërkëndore me përmasa 60 x 90 metra, dhe mure 9 m të lartë. Pjesa perëndimore e Kalasë është rindërtuar në shekullin e XVIII. Sipas të dhënave historike dhe arkeologjike kalaja mendohet të ketë qenë dy-katëshe, ku një kat i saj është i fundosur nën sipërfaqen e tokës, rrënojat e së cilës mbeten ende për t’u zbuluar.

Kalaja e Bashtovës njihet si e vetmja kala në Ballkan e ndërtuar në fushë. Rrethinat e saj kanë mbetur të plota dhe sot vizitohen nga shumë turistë vendas dhe të huaj. Shumë objekte të zbuluara në kala ruhen sot në Muzeun Kombëtar të Tiranës.

Zona e Bashtovës, njihet gjithashtu edhe për shumëllojshmërinë e prodhimit të djathrave dhe prodhimin e vajit të ullirit. Në të ndodhet gjithashtu një prej fermave më në zë të vendit për prodhimin e kërminjve.

Në muajt e ardhshëm, Bashkia synon:

  • të shndërrojë kalanë në atraksion të mirfilltë turistik, duke përmirësuar infrastrukturën që lidh kalanë me qendrën e fshatit si edhe infrastrukturën e kanalizimeve në afërsi të kalasë për të shmangur rrezikun e përmbytjes së kalasë për shkak të vendodhjes së saj në fushë;
  • përfshirjen e Kalasë në guidat turistike
  • promovimin e produkteve të zonës, si prodhimi i kërminjve, i cili eksportohet në Francë dhe ai i luleshtrydheve që eksportohet kryesisht në Itali.

 

  • Objekte me vlerë të veçantë kombëtare

Monumente kulture:        Kalaja e Vilë- Bashtovës

Parku i Okshtunit

Rrënoja arkeologjike në qytet

 

Monumente natyrore:   Fosilet detare të Thertorit

Burimet sulfurore tw Syballajt

Zonë e mbrojtur:              Parku kombëtar Divjakë – Karavasta

Derdhja e lumit Shkumbin – Këneta e Osmanit